Partnerët Shqipëri organizuan në datat 28-29 qershor 2018 në Tiranë, konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2018”. Në kuadër të politikave të Përgjegjësisë Sociale, Credins Bank mbështet për të disatin vit rradhazi, këtë konkurs, i cili, nëpërmjet ideve miqësore ndaj mjedisit, inkurajon nismat e bizneseve të reja.

Credins, mbështet këtë iniciativë e cila, sjell jo vetëm inovacion dhe zhvillim ekonomik por akoma më tej nxit përfshirjen sociale, punësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal. Përmes implementimit të këtyre ideve të reja ndërthurret më së miri mënyra e të bërit biznesi në Shqipëri duke ndërgjegjësuar qytetarët, shfrytëzuar burimet natyrore dhe duke kontribuar në nxitjen e turizmit vendas.

“Ide të Gjelbërta” është një konkurs i përvitshëm që Partnerët Shqipëri organizon prej 2012, në kuadër të punës së saj për nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit social.

Gjatë dy ditëve të konkurimit, 20 individë, organizata të shoqërisë civile e sipërmarrje të biznesit të vogël prezantuan projekt – idetë e tyre përpara një jurie ekspertësh, e cila përzgjodhi tre idetë më të mira:

– “Shtigjet e Gjelbërta”, ideja e Shoqatës Vjosa Explorer, e cila synon rritjen e ofertës turistike në rrethin e Përmetit nëpërmjet ndërtimit të Shtigjeve të Gjelbërta, si një potencial i pashfrytëzuar që përmirëson përvojën e vizitorëve, rrit kohën e qëndrimit cilësor të tyre dhe ndikon në uljen e sezonalitetit të aktivitetit turistik në dobi të rritjes së punësimit dhe zhvillimit social e ekonomik.

– “Aloe Vera (Aloe Saponaria) në Shqipëri”, ideja e Albi Sulo, individ, konsiston në ndërtimin e një agrikulture bujqësore mjekësore si Aloe Saponaria (ndër të parat në Shqipëri) në një zonë periferike të bashkisë Tiranë, me synimin për ta kthyer kultivimin e Aloe Veras në një sipërmarrje të suksesshme dhe fitimprurëse.

– “Pana Suvenirs”, ideja e Pezana Rexha, e cila synon të krijojë dhe zhvillojë një linjë të re produktesh që janë suveniret “Made in Albania”. Nëpërmjet realizimit të kësaj iniciative gjithashtu synohet krijimi i mundësive për punësim dhe trajnim dhe krijimi i produkteve unikale, që përfaqësojnë dhe identifikojnë plotësisht Shqipërinë.

Idetë fituese do të mbështeten financiarisht deri në shumën 800.000 lekë, nëpërmjet një fondi të krijuar me kontribute të kompanive lokale dhe donatorëve privatë. Një prej të cilëve është Credins Bank.

Gjithashtu, fituesit do të jenë pjesë e Konkursit rajonal “Filantropia në mbështetje të Ideve të Gjelbërta” që do të zhvillohet në Maqedoni, në korrik të këtij viti.

Banka Credins