Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Credins Bank, z. Maltin Korkuti, prezantuan zbatimin e projektit “Pylli Orbital”. Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së parqeve dhe Rekreacionit, vijoi me mbjelljen 150 pemëve në zonën e liqenit të thatë, falë edhe kontributit të donatorëve privatë. Në kuadër të përgjegjësisë sociale, përkujdesjes ndaj ambjentit dhe komunitetit, Credins Bank u bë pjesë e realizimit të këtij projekti. Nga një hapësirë që dikur përdorej si vend grumbullimi mbetjesh urbane dhe inertesh, zona para digës së Liqenit të Thatë, po merr formën e një pylli të vogël. Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së parqeve dhe Rekreacionit, në zbatim edhe të projektit të Pyllit Orbital, vijoi me mbjelljen 150 pemëve të tjera në këtë hapësirë, falë edhe kontributit të donatorëve privatë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi faktin që pjesë e këtij aksioni të madh janë bërë jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe sipërmarrës e individë privatë. “Po përqafojmë unazën jugore, pra po ndjekim gjithë gjurmën e unazës për t’u siguruar që i gjelbërojmë të dyja anët; edhe anën e liqenit, që në fakt pjesën më të madhe e bëmë vjet, edhe anën e Liqenit të Thatë, që po e bëjmë sivjet. Sigurisht, Pylli Orbital është një projekt gjigand, ndoshta do të vazhdojë edhe pas nesh në bashki, por ama duhet të fillojmë sot. Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ishte dje, koha e dytë më e mirë është kjo e sotmja. Kështu që, më vjen mirë që me këto 150 pemë, po gjelbërojmë një djerrinë që dikur ishte një pikë inertesh”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës. Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Credins, Maltin Korkuti, ndërsa përshëndeti nismën e Bashkisë së Tiranës për të përfshirë edhe bizneset në gjelbërimin e qytetit, theksoi se është detyrim moral për këdo që të kontribuojë në projekte që sjellin një cilësi jete më të mirë për qytetarët. “Me ftesë të bashkisë, sot jemi këtu në këtë projekt shumë interesant për mjedisin e qytetit tonë. Banka Credins sot është prezente me 23 filiale në qytetin e Tiranës dhe është mëse normale që të japim kontributin tonë në projekte të tilla të ngjashme. Jemi të angazhuar që edhe në vazhdimësi të jemi pjesë e këtyre projekteve që përmirësojnë cilësinë e jetesës në qytetin tonë”, u shpreh Korkuti.

Banka Credins