Credins Bank

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm

drejtori

Të nderuar Klientë dhe Aksionerë të Credins bank,

Credins bank e mbylli vitin 2016 duke shënuar një moment të rëndësishëm historik në rrugëtimin e saj në këto katërmbëdhjetë vite ekzistencë duke u renditur si banka e tretë më e madhe në vend. Kjo arritje na bën jo vetëm krenarë por dhe më të përgjegjshëm për sfidat që na vihen përpara. Rritja jonë në depozita dhe asete dëshmon për besimin e madh që klientët tanë, individë dhe biznesë kanë tek Banka. Ndërkohë që portofoli ynë i shëndetshëm i kredive, i diversifikuar në të gjithë segmentet dhe sektorët e ekonomisë është prova më e mirë e aftësisë sonë për të mirëmenaxhuar financat dhe për të investuar në mënyrë të suksesshme. Mjedisi ekonomik dhe financiar, si ai Shqiptar apo ndërkombëtar, vazhduan dhe në 2016 të jenë problematikë. Por, përtej vështirësive makroekonomike, plani strategjik i bankës u përmbush me sukses duke respektuar kërkesat rregullatore për kapitalin.

Në fushën e kredive, banka i qëndroi besnikë angazhimit të saj për reduktimin gradual të ekspozimit në kreditë korporatë dhe rritjes graduale dhe të qëndrueshme në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në sektorin agro, mikro dhe individë. Kjo strategji rezultoi e sukseshme dhe gjeneroi disbursimin e 25,500 kredive gjatë vitit 2016, nga ku 87% kanë rezultuar në segmentin individë. Gjatë 2016 vazhdoi zgjerimi me dy degë të reja, dhe nisi një proces në shkallë të gjërë për rivitalizimin e degëve. Po në 2016, selia qëndrore e bankës u vendos në godinën e re prestigjoze në rrugën Vaso Pasha, nr. 8 sëbashku me një degë pa shërbime cash, që do të shërbejë si model per shtimin e shërbimeve me teknologji të avancuar në dobi të klientëve. Mund të themi me bindje se gama e produkteve dhe shërbimeve që ofrohen sot në Credins bank, plotëson çdo nevojë të individit apo biznesit, duke përfshirë jo vetëm produktet bankare, por duke mundësuar dhe aksesin në fonde pensioni, investimi, produkte sigurimesh, leasing etj. Viti 2016 u mbyll me hedhjen në treg të Mastercard, pjesë e përpjekjeve të bankës për të rritur shërbimet digjitale. Kjo kartë me teknologjinë e avancuar Contactless plotëson nevojën e klientëve tanë individë dhe biznes, për një kartë në monedhë të huaj. Me kartën VISA, në 2016 Credins bank mbulon 13,8 % të tregut në sistemin bankar shqiptar me 103,180 përdorues. Në fushën e përgjegjësisë sociale, kontributi i bankës në 2016 ka qënë në rradhë të parë në aspketin e shërbimeve financiare ku në bashkëpunim me institucionet shqiptare si Posta Shqiptare apo Instituti i Sigurimeve Shoqërore është punuar intensivisht për të finalizuar dhe implementuar marrëveshje që shtojnë hapësirat e pagesave elektronike për qytetarët, duke reduktuar sasinë e parasë cash dhe lehtësimin e procedurave. Banka në një shkallë po aq të rëndësishme ka kontribuar në mbështetje të komunitetit dhe në këtë fushë janë realizuar rreth 57 projekte për përmiresime në infrastrukturë, financim pajisjesh, gjelbërim, lehtësim aksesi në arsim, kulturë, shëndetësi, etj dhurime për reduktimin e varfërisë me qëllimin që të sigurohet një impakt pozitiv në mjedis dhe jetën e komunitetit.

Rezultatet e arritura, janë siguruar falë punës së një stafi të motivuar për t’i shërbyer sa më mirë klientëve tanë. Në rolin e një punëdhënësi të përgjegjshëm, ne besojmë se stafi është një kapital i çmuar prandaj dhe gjatë 2016, banka ka pasur një paketë kompesimi konkurruese dhe ka siguruar rritjen e vazhdueshme profesionale të stafit përmes formateve ambicioze të trajnimit. Kjo strategji i shërben plotësimit të kërkesave në rritje të klientëve për profesionalizëm, ekspertizë, asistencë financiare dhe konsulencë bankare.

Këshilli Drejtues ka qenë mbështetës dhe i angazhuar për të siguruar që rritja jonë të jetë organike, e mbështetur në zgjidhje strategjike afatgjatë, duke respektuar kontekstin rregullator, etikën e biznesit dhe parametrat e riskut.

Suksesi ynë e ka bazën tek besimi, integriteti, ndershmëria dhe përkujdesja. Këto parime do vazhdojnë të na udhëheqin dhe në të ardhmen. Falë besimit tuaj, jemi një ekip fitimtar.

 

Sinqerisht,

Maltin Korkuti,
Drejtor i Përgjithshëm

Top