Tiranë

Credins bank, pjesë e marrëveshjeve të reja strategjike ndërkombëtare!

Data e ngjarjes
31.3.2026

Credins bank ka finalizuar me sukses marrëveshje të rëndësishme financimi me institucione financiare ndërkombëtare, duke forcuar më tej pozicionin e saj ekonomiko-strategjik në vend. Këto marrëveshje vendosin theksin në zgjerimin e kapaciteteve për të mbështetur ekonominë vendase, me fokus të veçantë te bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe në financimet e qëndrueshme të bazuara në parimet ESG.

Në një kohë kur Shqiperia vijon rrugën e saj si vend aspirant për anëtarësimin në Bashkimin Europian, këto marrëveshje përfaqësojnë një tjetër hap të rëndësishëm në strategjinë afatgjatë të Credins, për forcimin e stabilitetit financiar dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Përmes kësaj strategjie, Credins synon të luajë një rol aktiv në mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit dhe promovimit të financimit green.

Në datë 31 mars 2026, Credins finalizoi me sukses marrëveshjen e financimit me 3 fonde investimi të administruara nga Responsibility AG, një institucion i rëndësishëm financiar ndërkombëtar me seli në Zvicër. Financimi në vlerën e 15 milionë euro dëshmon edhe një herë ambicien e Credins për përmbushjen e kërkesave rregullatore dhe forcimin e mëtejshëm të treguesve të kapitalit.

Nga ana tjetër, në dhjetor të vitit 2025 Credins përmbylli gjithashtu një tjetër marrëveshje financimi me Bankën Zhvillimore të Detit të Zi (Black Sea Trade and Development Bank,BSTDB), me seli në Greqi, në vlerën e 10 milionë euro. Ky financim, i strukturuar për qëllime MREL, synon forcimin e kapaciteteve rregullatore të bankës, si dhe mbështetjen e financimit të bizneseve të vogla dhe të mesme që përmbushin kriteret përkatëse.

Përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si Responsibility AG dhe BSTDB në këto marrëveshje reflekton besimin e plotë të partnerëve financiarë ndërkombëtarë në stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën e Credins bank. Këto bashkëpunime strategjike konsolidojnë edhe më tej reputacionin e bankës si një partner i besueshëm financiar në tregun vendas.

Duke u mbështetur në potencialin e saj, kushtet konkurruese dhe infrastrukturën financiare tashmë të konsoliduar, Credins synon të kontribuojë në mënyrë të qëndrueshme në zhvillimin e sektorit privat dhe të ekonomisë vendase në tërësi, në përputhje me parimet ESG. Në këtë kuadër, këto marrëveshje financimi konfirmojnë edhe një herë vizionin dhe angazhimin strategjik të Credins, për të ruajtur një strukturë të fortë kapitali si dhe për të rritur edhe më tej aksesin në financim për bizneset shqiptare vendase.