Tiranë

Çelet në Credins bank ekspozita e piktorit Pashk Pervathi "Peisazhe Ëndërruese"

Data e ngjarjes
27.4.2026

Ekspozita “Peisazhe Ëndërruese” sjell një emër të madh të artit pamor, Pashk Pervathi, artist i merituar dhe i vlerësuar me shumë çmime për punën dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm. Në universin artistik të Pashk Pervathit shfaqen punime të bukura, të qeta dhe thellësisht meditative. Shpesh, peizazhet vijnë si puhiza të lehta, që përcjellin bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës shqiptare dhe jo vetëm.

Koloritetet e shumë larmishme shkrihen natyrshëm me njëra-tjetrën, duke i lënë vend përdorimit mjeshtëror të dritës dhe duke krijuar një harmoni sa të thellë, aq edhe të brishtë. Tablotë ndërtohen përmes tonaliteteve të ndryshme, duke të çuar drejt një soditjeje të qetë, të thellë dhe plot ëndërrim. Pervathi shkon atje ku qielli takon tokën, si dhe në skajet e mjegullnajave, agimeve dhe perëndimeve të arta.

Në këtë rrugëtim, ai mbetet jo vetëm një piktor, por edhe një kurator i estetikës, duke na kujtuar se natyra është zanafilla e njeriut dhe lidh shpirtin e tij me tokën.

Pashk Pervathi ka lindur në Manatitë Lezhës, më 27 shkurt 1958. Gjatë viteve 1986–1990 studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e Pikturës Monumentale. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1990, u emërua përgjegjës i Galerisë së Arteve në Lezhë. Që nga viti 1994 e në vazhdim ushtron profesionin e piktorit të lirë.

Ai është autor i 46 ekspozitave personale, të çelura brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij janë pjesë e koleksioneve private në Europë, Amerikë dhe Azi, si dhe ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Shqipëri. Ndër vlerësimet e shumta, është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” dhe titullin “Mjeshtër i Madh”.

Kjo ekspozitë i bashkohet kolanës së ekspozitave të shumta të çelura në Credins, jo vetëm si pjesë e politikave të përgjegjësisë sociale, por edhe si një përpjekje për të kultivuar një marrëdhënie të qëndrueshme me artin.

Credins Bank e trajton artin si një vlerë shpirtërore dhe kulturore që i jep kuptim hapësirës, pasuron përvojën e përditshme dhe dëshmon angazhimin e institucionit ndaj bukurisë, krijimtarisë dhe trashëgimisë artistike.