Tiranë

Financat e gjelbra dhe sipërmarrja e qëndrueshme

Event Date
November 21, 2025

Në kuadër të Global Entrepreneurship Week 2025, Credins bank mori pjesë në eventin me temë “Financa e Gjelbërt, investim në sipërmarrje të qëndrueshme”, një platformë e rëndësishme diskutimi mbi të ardhmen e investimeve që respektojnë standardet mjedisore dhe zhvillimin afatgjatë të ekonomisë.

Në panelin e dedikuar morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike dhe financiare, përfshirë znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Migena Roshi, si dhe përfaqësues të lartë nga Banka e Shqipërisë, United Nations Development Programme dhe Consi ESG. Diskutimet u fokusuan në rritjen e investimeve të gjelbra në sektorë kyç të ekonomisë dhe në domosdoshmërinë që bizneset të orientojnë strategjitë e tyre drejt modeleve të qëndrueshme.

Panelistët theksuan se Shqipëria, si vend aspirues për anëtarësim në Bashkimin Europian, po avancon drejt përafrimit të kuadrit ligjor dhe financiar me standardet europiane, duke krijuar hapësirë për skema të reja incentivuese nga bankat dhe institucionet shtetërore në mbështetje të sipërmarrjes së gjelbër.

Për të tretin vit radhazi, Credins Bank i bashkohet kësaj nisme globale, duke rikonfirmuar angazhimin për të qëndruar pranë sipërmarrësve dhe për të mbështetur zhvillimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit.