Tiranë

Inovacion dhe talent shqiptar në NASA Space Apps Challenge

Event Date
October 9, 2025

NASA Space Apps Challenge është konkursi më i madh ndërkombëtar i teknologjisë, me mbi 370,000 aplikantë në më shumë se 50 vende të botës, ku edhe Shqipëria është pjesë aktive e kësaj nisme globale. Ky aktivitet përfaqëson një platformë unike bashkëpunimi, ku të rinjtë sfidojnë kreativitetin dhe aftësitë e tyre përmes zgjidhjeve teknologjike me ndikim real.

Në Shqipëri, eventi u organizua nga Albanian ICT Academy, duke mbledhur 50 të rinj në një maratonë intensive inovacioni. Pjesëmarrësit përdorën të dhënat publike të NASA për të zhvilluar projekte që adresojnë sfida globale, duke ndërthurur teknologjinë me kërkimin shkencor dhe sipërmarrjen.

Ekipet u formuan nga ekspertë të teknologjisë, studentë, kërkues shkencorë dhe sipërmarrës, të mbështetur nga mentorë profesionistë të fushës. Ky bashkëpunim shumëdisiplinor krijoi një ambient frymëzues që inkurajon eksperimentimin, mendimin kritik dhe zgjidhjet me impakt.

Ne mbetemi krenarë të mbështesim iniciativa që promovojnë talentet e reja dhe forcojnë pozicionin e Shqipërisë si një zë i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të inovacionit dhe teknologjisë.